Arbitra nga Finlanda, që edhe udhëheqësi të mos prishë shoqërinë

Pikërisht kjo ishte edhe reforma e konceptuar dhe zbatuar nga FSHF në sektorin e arbitrimit, madje për të qenë më korrekt, kjo ishte idea e vetë udhëheqësit suprem të institucionit. Në fakt, qëllimi i tij ishte i mirë, në vazhdën e tentativave për ta kthyer futbollin shqiptar në një sport që luhet në oborrin e shtëpisë së tij dhe personalisht ia ka arritur, pavarësisht se kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë publikut, me këtë rrotullim kaotik të topit. Hoqi dhe dhuroi stema, lëshoi nëpër fusha një lukuni të urdhëruarish, të cilët zbatonin gjithçka, pa pasur asnjë merak as për personalitetin e tyre dhe në fund ja ku mbërritëm. Tashmë është krijuar përshtypja e përgjithshme, se në zyrën qëndrore të federatës ekziston  jë klasifikim përfundimtar i këtij kampionati, pavarësisht se ende është më shumë se një fazë pa u luajtur. Mjafton të ndjekësh në emisionet sportive të çdo jave, minutazhin e dedikuar rasteve të diskutuara (moviola) dhe të duket sikur po të servirin grimca humoristike, për të mbajtur barkun me dorë.

Por siç ndodh gjithmonë në vende ku dominon diktati edhe këta që komandojnë futbollin tonë, gjithçka sajojnë e shoqërojnë me një propagandë të shfrenuar, aq më shumë që i kanë në dispozicion pothuajse të gjitha mjetet. Në bazë të disa marrveshjeve bashkëpunimi sollën fillimisht në Shqipëri arbitra nga Malta dhe Luksemburgu, vende që për nga cilësia kanë një futboll të një niveli fillestar. Por gjithçka bëhet për të sjellë imazhin e paanshmërisë, gjë që shqiptarët e veshur me të njëjtat xhaketa, as që bëhet më fjalë për të ta ofruar. Ndërsa nga dje është bërë pyblike edhe një marrëveshje e re, tashmë e një shkalle të përmirësuar: “FSHF do të kërkojë arbitra nga Finlanda për ndeshje të rëndësishme në Kategorinë Superiore dhe të Parë, si në këtë sezon, ashtu edhe në sezonin e ardhshëm”. Strategët tanë janë kujdesur, që bashkëpunimi i fundit të vinte nga Skandinavia, ku vendet janë me ajër më të pastër, për të krijuar këtu edhe imazhin e ndershmërisë, madje kjo lëvizje meriton vërtetë propagandë. Megjithatë, përveç ulërimave dehëse ka shumë mundësi që kjo të jetë edhe një tentativë e domosdoshme, pasi në këtë fazë të sezonit edhe vetë të përkëdhelurit e institucionit kanë tendenca të bëhen agresivë, pasi do të ndeshen me njëri tjetrin në 90 minutësha që nuk mund të shpëtohen nga xhaketat e kthyera të Dukës. Kështu që duhet ndonjë finlandez i lezetshëm… e me këtë rast edhe vetë udhëheqësi nuk do të jetë i detyruar të prishë shoqërinë.