Spaleti  shpon armiqtë: Thonë se do më shkarkojnë, një ditë..po!

Interi në ndeshjen e fundit mundi 2-0 Kievon me golat e Politanos dhe të Perishiçit, duke u kthyer në vendin e 3-të të tabelës së Serisë A. Spaleti, me këtë rast, edhe një herë iu lëshua medias, për shkak të spekulimeve se atë do ta shkarkojnë në fund të sezonit dhe në vend të tij do të vijë Antonio Konte. Para ndeshjes së mësipërme, Spaleti dhe Interi i tij u ndodhën edhe një herë tjetër përballë presionit të madh, sepse Atalanta, Milani, Roma dhe Torino që gjithashtu luftojnë për një vend në Ligën e ardhshme të Kampioneve, fituan në raundin e fundit.

“Ka tre muaj që media po i bie së njejtës gozhdë dhe më shumë ‘Gazeta delo Sport’ se mua do të më shkarkojnë dhe do të vijë Antonio Konte. Nëse dikush thotë vazhdimisht se do të bjerë shi, kjo gjë më në fund edhe mund të ndodhë! Mua gjithnjë, çdo javë, më bëjnë të njëjtën pyetje dhe unë përgjigjem, sepse nuk dua që të tregohem i pasjellshëm. Gazeta në fjalë ka dy vite që shkruan të njëjtën gjë, kurse gjatë këtyre tre muajve të fundit ajo po shkruan çdo ditë për largimin tim. A nuk e kupton se me shkrimet e saj se ne jemi të shterur, të raskapitur…, ajo na ofendon dhe majde jo pak. Kjo gazetë përdor kundër nesh një gjuhë të shëmtuar që nuk e përdor kundër klubeve të tjerë”, deklaroi Spaleti.

Sfidanti.al