Një nga futbollistët aktivë me moshën më të madhe në Evropë, sulmuesi 40-vjeçar i Kievos, Serxhio Pelisie, bëri të ditur se në fund të këtij sezoni ai do ta mbyllë karrierën e tij të gjatë. Kapiteni shumëvjeçar i “gomarëve fluturues”, sikurse e quajnë ndryshe Kievon, deklaroi se ka ardhur koha që ai të hapë krahun dhe t’ua lirojë vendin më të rinjve. Bluza e tij me nr. 31 do të hiqet nga qarkullimi për nder të këtij futbollisti të paepur, deklaroi presidenti i Kievos, Luka Kampedeli.
“Kjo u vendos tanimë. Bluza me nr.31 është e tij dhe kështu do të mbesë përjetë. Vështirë se mund të gjendet ndonjë futbollist tjetër që të ketë përgjegjësinë e madhe që ta mbajë veshur këtë bluzë. I vetmi që do të mund ta mbajë veshur këtë bluzë, është i biri i tij”, deklaroi Kampedeli.
Legjendari Pelisie ka luajtur me Kievon 17 sezone dhe ai është golashënuesi më i mirë në historinë e këtij klubi me 134 gola në 493 ndeshje. Ndeshjen e tij të fundit me përfaqësuesen italiane Pelisie e ka zhvilluar me 6 qershor 2009, kur ishte 30 vjeç, duke shënuar madje edhe gol në ndeshjen miqësore që Italia e fitoi 3-0 kundër Irlandës së Veriut.
Sfidanti.al