Juventusi ishte mërzitur në krye, por Interi i Kontes nuk ishte gati!

Një ftesë dhe një kundërftesë brenda pak orëve. Kreu i Serisë A u nxorr në “ankand” këtë të shtunë, por asgjë nuk ndryshoi dhe Juventusi e mbajti edhe më tej. Kampionët e Italisë i bënë një dhuratë Interit, duke barazuar 1-1 në fushën e Leçes, pas golit të anuluar të Gonzalo Higuainit, dhe penalltisë së fituar nga Pjaniç e kthyer në gol nga Paulo Dibala. Vendasit barazuan shpejt, po me penallti, pasi Matijs De Ligt preku topin dukshëm me dorë në zonë, dhe “Zonja e Vjetër” e Sarrit mori vetëm një pikë.

Ishte radha e Interit që të falenderonte dhe të parakalonte, por skuadra e Kontes duket se nuk ndihej gati për të qenë atje në majë. Ndoshta, më vonë! Barazim edhe për zikaltërit, madje në “San Siro”, ku thuajse u mundën nga Parma. Antonio Kandreva, që duket lojtar tjetër me Konten, kaloi vendasit në epërsi në 23’, por emilianët nuk u “tutën”. Ish-interisti Karamoh barazoi shpejt, dhe Zhervinjo i dha avantazhin miqve. Pas pushimit, Lukaku shënoi golin e gjashtë në 9 ndeshje, por kjo mjaftoi vetëm për barazimin 2-2. Tashmë, Juvja kryeson me 23 pikë ndaj 22 të Interit, pas 9 ndeshjeve të luajtura në kampionat.

Sfidanti.al