Donçiç-Porzingis, dyshja europiane po funksionon mirë tek Dallasi!

Nuk kishte bërë dy fitore bashkë në nisje të sezonit që nga vitet 2004-2005. Dallas Maveriks duket se do të kthehet në kohët e mira, tani nën drejtimin e dyshes europiane Luka Donçiç-Kristaps Porzingis. Klubi nga Teksasi e di se çdo të thotë sukses nga Europa, pasi lideri i tij për shumë vjet ishte Dirk Novicki, dhe tani synon që kjo të përsëritet.

Në Nju Orlins, në fushën e Pelikansëve, dyshja europiane shtrëngoi dhëmbët dhe siguroi fitoren për miqtë, edhe pse të vështirë. Përfundoi 123-116, dhe së bashku Donçiç e Porzingis shënuan 53 pikë. Slloveni e mbylli ndeshjen me 25 pikë, 10 topa në tabela, 10 asistë, si dhe me 2 vjedhje topi. Letonezi u përgjigj me 24 pikë, 4 topa në tabela e 3 asistë, por ai luajti vetëm 29 minuta, ndaj 38 të Donçiçit.

Në fund, ishte Donçiç që shënoi kosha nga largësia duke vendosur fitoren dhe Porzingis nuk ia hëngri hakun. “Luka është i zoti për t’i realizuar ata kosha të çmendur, – tha letonezi, – në fund të ndeshjes, ai ishte vendimtar. Jemi të gjithë të lumtur, dhe besojmë se kjo do të vazhdojë”.

Sfidanti.al