De Rosi mbron njeriun e shtëpisë, kritikon “plangprishësin” Spaleti

Daniele De Rosi është ende tek Roma dhe do të jetë aty deri në fund, ndërsa Luçiano Spaleti është larguar. Ka qenë kjo një nga arsyet kryesore, ndoshta, që kapiteni i sotëm romanist nuk ia kurseu një “shigjetë” ish-trajnerit të tij. Batuta kishte të bënte me Françesko Totin, dhe De Rosi nuk mund të mos e mbronte një të shtëpisë, edhe pse për momentin të larguar. Toti vazhdon të jetë vetë Roma.

“Kam thënë se do të ishte e vështirë të zëvendësohej Spaleti, por jo e pamundur, – u shpreh ai në prag të Championsit, – ai e njihte Romën me sy mbyllur dhe u tregua shumë i zoti, por ndonjë rrëmujë edhe e ka bërë, sidomos me Françeskon”. De Rosi vlerësoi muajt e parë me Di Françeskon si ndër më të mirët në karrierën e tij, por mbeti modest për objektivat.

“Do të jetë e vështirë të fitohet kampionati edhe pse kemi shpresë, – u shpreh ai, – rezultatet tona mund të gjykohen nga të gjithë, por përpara nesh janë skuadra që, për fat të keq, i kanë fituar thuajse të gjitha ndeshjet. Jemi të lumtur për mënyrën sesi po ecim në Champions, dhe do të ishte një mrekulli të kualifikoheshim në një grup me Çelsin dhe Atletikon e Madridit”. Roma pret Karabakun në ndeshjen e fundit, ndërsa Atletiko luan në fushën e Çelsit.

Sfidanti.al