Bonuçi thotë se Juvja e Sarrit është totalisht ndryshe nga ajo e Alegrit!

Është herët që të bësh krahasime, ndonëse ndryshimi në stol u krye me një qëllim të vetëm. Nëse Masimiliano Alegri kishte objektiv dhe detyrë thjesht që të fitonte me Juventusin (diçka që ia doli më së miri në Serinë A), Mauricio Sarri duhet të fitojë bukur. Për të qenë një klub global, një skuadër që të dashurohet nga dhjetëra apo qindra milionë tifozë në të gjithë botën, Juvja duhet të japë spektakël.

A po ia arrin Sarri qëllimit për të cilin u mor? E thamë që në fillim se është shpejt të nxirren përfundime, pasi kanë kaluar vetëm 4 muaj nga fillimi i sezonit të tij të parë në stol. Leonardo Bonuçi nuk ka dyshime kur thotë se “skuadra jonë sot është totalisht e ndryshme nga ajo që ishte më parë”. E vërteta është që loja e bukur ka nisur të shihet, por më shumë në Champions, ndërsa është rritur zotërimi i topit, është rritur presioni ndaj kundërshtarit, skuadra i është afruar më shumë portës rivale dhe është shtuar numri i gjuajtjeve në kuadrat. “Sarrizmi” do të kërkojë kohë, pra qarkullimi i topit, loja më vertikale dhe golat e shumtë. Për momentin, ndryshimi juventin po ndihmon edhe Interin që ka dalë në krye të Serisë A.

Sfidanti.al