Vërtet një Mançester “United”, lojtarët në mbështetje të Solskjerit

Mendimin e tyre e bënë të qartë përpara se të dilnin në fushë. Futbollistët e Mançester Junajtidit i kërkuan drejtuesve të klubit që të kishin besim të patundur tek trajneri Ole Gunar Solskjer, ndërsa ende nuk ishte luajtur dueli ndaj Totenhemit. Nuk dihet nëse drejtuesit ishin në një mendje me lojtarët, sepse pozicioni i norvegjezit nuk u vu në dyshim. Junajtidi fitoi 2-1 ndaj të besuarve të Zhoze Murinjos, por qendrimi i yjeve në “Old Traford” është shumë domethënës.

Nëse skuadra mbështet trajnerin, klubi nuk ka arsye të fortë për ta shkarkuar, diçka që u përjetua në epokën e Sër Aleks Fergusonit, që gjithnjë pati besimin e lojtarëve të tij. Natyrisht, Solskjer do të ketë një tjetër provë të vështirë, pasi Junajtidi do të ndeshet me Mançester Sitin në stadiumin “Etihad”. Tifozët shpresojnë shumë që një legjendë e fushës si Solskjer t’i japë fund periudhës së turbullirave që nisi në 2013 pas largimit të Fergusonit, ndërsa këtë nuk e arritën dot Dejvid Mojesi, Ljuis Van Gali dhe Zhoze Murinjo.

Sfidanti.al