Pas 8 ndeshjesh, Bruno Fernandes po krahasohet me Kantonanë!

Nuk dihet nëse do t’i qëndrojë këtij ballafaqimi kaq të madh, nëse mund të matet me një legjendë të tillë. Bruno Fernandes po krahasohet tek Mançester Junajtidi me Erik Kantonanë, francezin e shquar që ndihmoi për të fituar titullin e parë pas 26 vjetësh, nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit në 1993. Mesfushori portugez ka luajtur vetëm 8 ndeshje për “djajtë e kuq”, por ka ndihmuar kaq shumë saqë është bërë menjëherë idhull i tifozëve. Ai cilësohet si krenar, udhëheqës i lindur dhe që ka një dëshirë të egër për të fituar.

Ole Gunar Solskjeri deklaroi se blerja e kartonit të tij për 68 milionë paundë stërlina (rreth 80 milionë euro) mund të quhet “okazion” në tregun e sotëm të futbollit, dhe duket se trajneri ka të drejtë. Krahasimet për të, bëhen edhe me yje të tjerë si Uejn Runi apo Pol Skoulls, ndërsa besohet se Fernandesi po e nxjerr nga skuadra Pol Pogbanë, që pritet të kthehet nga dëmtimi. Ai është ende vetëm 25 vjeç, ndërsa Solskjeri thotë se Junajtidi ka nevojë edhe për 2-3 përforcime që të synojë titullin sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al