Kielini për Konten: “Pas stërvitjes, nuk ndjeheshim të lodhur, por të vdekur”!

Antonio Konte, qysh në sezonin e tij të parë te Celsi, arriti deri te titulli i kampionit të Premier Ligës, por, tani, në sezonin e dytë, ekipi që ai drejton, është përfshirë nga një krizë serioze që e treguan edhe dy humbjet e fundit të thella nga ekipe pa shumë pretendime në Premier Ligë (Bornmauth dhe Uatford). Sidoqoftë, tani për tani, duket se pronari i “bluve” të Londrës, Roman Abramoviç, ende nuk e ka humbur besimin te trajneri italian, pavarësisht nga spekulimet e shumta të medias se ai ndodhet në prag të shkarkimit.

Mendimi i përgjithshëm është se Konte është një specialist i shkëlqyer futbolli dhe i këtij mendimi është edhe futbollisti i njohur italian, Xhorxho Kielini, që ka luajtur nën Konten te Juventusi dhe përfaqësuesja italiane. “Nuk është fjala se ai është traner i mirë vetëm gjatë ndeshjes, por, sidomos, edhe në stërvitje. Konte është tamam si një oficer policie strikt, kontrollonte çdo gjë; mbas çdo stërvitjeje me të, ne nuk ndjeheshim të lodhur, por të vdekur! Stërvitjen e tij mund ta përballosh vetëm, nëse beson në atë që bën. Ai krijon në ekip një atmosferë të veçantë. Me siguri që ai është ndër më të mirët në botë”, deklaroi Kielini.