Ky Partizan ka harruar të shënojë dhe të fitojë, sezoni në prag dështimi!

Nuk di më sesi fitohet në kampionat. Partizani, një prej ekipeve më të mirë të sezoneve të fundit, zhgënjeu edhe një herë tifozët e tij dhe gjithë publikun shqiptar, pas barazimit pa gola në fushën e tij ndaj Laçit. Kryeqytetasit humbën mundësinë për të dalë në vend të tretë, ndërsa dalë nga dalë po mbërrihen nga Luftëtari dhe rrezikojnë të zbresin deri në vendin e 7-të në një Superligë ku luajnë gjithsej vetëm 10 ekipe, diçka që nuk i ndodhte që nga kohët kur binte nga kategoria.

Është vërtet e rëndë që një klub me shpenzime thuajse po aq të mëdha sa Skënderbeu, dhe që e nisi sezonin me pretendime për titull, të bjerë kaq poshtë, por për Partizanin gjithçka është logjike. Që nga instancat drejtuese, për të kaluar tek stafi teknik dhe tek lojtarët, ka pasur lëvizje dhe ndryshime të shumta, diçka që rezultoi fatale.

Jo më kot të kuqtë janë ekipi që ka shënuar më pak në kampionat, pas Lushnjes, vetëm 17 gola në 19 ndeshje të luajtura. Mungesa e trajnerit Starova padyshim që ishte një minus më shumë, pavarësisht se ndihmësi i tij, Dalipi, bëri maksimumin.

Në krahun tjetër, Laçi i trajnerit vlonjat, Gentian Mezani, vazhdon të habisë për mirë. Kurbinasit janë mbi Partizanin në renditje, duke i marrë dy fitore e një barazim në ndeshjet e luajtura deri tani. Me fitoren edhe të Luftëtarit në fushën e Teutës, me shifrat 3-2, gara për Europën u bë edhe më e bukur. Vetëm 6 pikë ndajnë vendin e dytë, Flamurtarin, nga vendin e 7-të Luftëtarin, diferencë që mund të ndryshohet në vetëm dy javë.

Gjirokastritët triumfuan në Durrës falë dy golave të Vasil Shkurtit dhe një autogoli të Shehit, ndërsa Hila e Lajthia nuk mjaftuan për vendasit. Teuta mbetet e parafundit dhe rrezikon seriozisht të bjerë nga kategoria.

Sfidanti.al