Paul Pogba pritet të mbetet sërish lojtar i lirë, pasi Monaco ka vendosur të ndërpresë kontratën me mesfushorin francez. Sipas raportimeve të mediave franceze, vendimi erdhi pas një tjetër dëmtimi muskulor të pësuar gjatë fazës përgatitore. Pogba iu bashkua Monacos verën e kaluar si lojtar i lirë, duke nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2027. Megjithatë, aventura e tij në Principatë rezultoi shumë e shkurtër, pasi ai zhvilloi vetëm gjashtë ndeshje zyrtare.
Në total, 33-vjeçari regjistroi vetëm 115 minuta në fushë me fanellën e klubit francez. Gjatë kësaj vere, Pogba luajti vetëm në një ndeshje miqësore, më 18 korrik, ku qëndroi 45 minuta në fushë. Dëmtimi i fundit duket se ka bindur drejtuesit e Monacos se nuk mund të vazhdojnë bashkëpunimin me të. Ky është një tjetër kapitull i vështirë në karrierën e francezit, i cili dikur konsiderohej një prej mesfushorëve më të mirë në botë. Në vitin 2016, Juventus e shiti atë te Manchester United për 105 milionë euro, duke e bërë asokohe lojtarin më të shtrenjtë në histori.
Pas rikthimit te Juventusi në vitin 2022, Pogba u përball me dëmtime të shumta dhe më pas me një pezullim për shkelje të rregullave antidoping. Pezullimi u reduktua pas apelimit dhe ai u lejua të rikthehej në futboll në mars të vitit 2025. Megjithatë, në dhjetor 2024, Pogba kishte ndërprerë kontratën me Juventusin me marrëveshje të dyanshme. Tashmë, pas largimit nga Monaco, mbetet e paqartë nëse francezi do të kërkojë një klub të ri apo do t’i japë fund karrierës. Në karrierën e tij, Pogba ka zhvilluar 190 ndeshje me Juventusin, ndërsa për Manchester Unitedin ka regjistruar 233 paraqitje.

