Tottenhami ende shpreson për rikthimin e Harry Kane

Bayern Munich është gjithnjë e më pranë një marrëveshjeje për rinovimin e kontratës me Harry Kane, por një rikthim i sulmuesit anglez në Premierligë nuk përjashtohet plotësisht edhe nëse ai vendos të qëndrojë në Gjermani për disa vite të tjera. E ardhmja e Kane ka qenë një prej temave më të diskutuara në muajt e fundit, veçanërisht pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Bayern Munich. Sulmuesi anglez ka qenë në formë të shkëlqyer dhe vazhdon të konsiderohet një prej golashënuesve më të rrezikshëm në futbollin evropian.

Kontrata aktuale e tij me gjigantin bavarez skadon në qershor të vitit 2027, çka ka nxitur spekulime për të ardhmen e tij. Për Kane është përfolur edhe një rikthim i mundshëm te Tottenhami, klubi ku u shndërrua në një prej sulmuesve më të mirë në botë. Interesim për të ka pasur edhe nga klube të tjera të mëdha, përfshirë Manchester Unitedin dhe Barcelonën. Megjithatë, dëshira e Kane duket se është të vazhdojë aventurën në “Allianz Arena”.

Sipas raportimeve të “The Times”, Bayern po përgatit një kontratë të re trevjeçare për sulmuesin, e cila do ta mbante atë në klub deri në qershor të vitit 2029. Në atë periudhë, Kane do të jetë pothuajse 36 vjeç. Negociatat mes palëve po avancojnë dhe, sipas Graeme Bailey të “TEAMtalk”, një marrëveshje mund të arrihet deri në fund të gushtit. Një kontratë e tillë do të ishte një goditje e madhe për shpresat e Tottenhamit për ta rikthyer Kane këtë verë. Sulmuesi anglez është një legjendë e klubit londinez, ku realizoi 280 gola në 435 paraqitje.

Megjithatë, rinovimi me Bayern nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht fundin e ëndrrës së Tottenhamit. Sipas raportimeve, Bayerni është i gatshëm t’i ofrojë Kane një kontratë trevjeçare pavarësisht moshës së tij, ndërsa burime pranë situatës besojnë se një marrëveshje e tillë mund ta lërë ende të hapur mundësinë e një rikthimi në Premierligë në fazën e fundit të karrierës. Kjo do t’i jepte Kane mundësinë që, pas disa viteve të tjera në Gjermani, të rikthehej në Angli për të synuar një rekord historik. Kane aktualisht ndjek rekordin e Alan Shearer prej 260 golash në Premierligë. Sulmuesit anglez i duhen edhe 47 gola për ta barazuar legjendën e Newcastle United. Nëse vazhdon të shënojë me ritmin e tij aktual edhe në vitet e ardhshme, një rikthim në Premierligë në moshën 35 apo 36-vjeçare mund të jetë ende një skenar real. Dhe në një rast të tillë, Tottenhami do të ishte destinacioni më i natyrshëm për legjendën e klubit. Kane mund të ketë ende një kapitull të fundit për të shkruar në Angli: rikthimin te Spurs dhe përpjekjen për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Premierligës.