Leao: Askush nuk flet në emrin tim!

Rafael Leao ka reaguar ashpër ndaj spekulimeve të fundit për të ardhmen e tij te Milani. Sulmuesi portugez ka mohuar kategorikisht disa prej raportimeve që kanë qarkulluar gjatë kësaj vere. Leao reagoi përmes një postimi në “Instagram”, ku bëri të qartë se vetëm familja dhe avokatët e tij mund të flasin në emrin e tij. “Vetëm për të shmangur spekulimet dhe historitë që nuk janë të vërteta, përsëris se çështjet e mia ia kam besuar ekskluzivisht familjes dhe avokatëve të mi”, shkroi ai. 27-vjeçari kishte lënë të kuptohej në fund të sezonit të kaluar se dëshironte një sfidë të re larg Serie A. Megjithatë, një transferim në Premierligë apo La Liga nuk u konkretizua.

Interesim për të shfaqën klubet turke Galatasaray, Fenerbahçe dhe Besiktas. Por asnjëra prej tyre nuk arriti ta përmbushte kërkesën e Milanit prej 50 milionë eurosh plus 10 milionë në bonuse. Si rrjedhojë, Leao duket se do të vazhdojë të jetë pjesë e kuqezinjve. Portugezi tani ka bërë të qartë se fokusi i tij është vetëm te futbolli dhe objektivat e sezonit të ri. Milani, ndërkohë, nuk duket se ka plane për t’ia zgjatur kontratën përtej qershorit 2028. Për momentin, e ardhmja e Leaos mbetet e hapur, por sulmuesi nuk dëshiron që emri i tij të lidhet me spekulime të pakonfirmuara.