Depay shpërthen ndaj Corinthians-it: Nuk do ta lë këtë sjellje pa ndëshkim

Ndarja mes Memphis Depay dhe Corinthians-it ka marrë një tjetër kthesë, duke u shndërruar në një konflikt të hapur mes futbollistit holandez dhe klubit brazilian. Depay ka reaguar ashpër ndaj komunikatës së Corinthians-it për përfundimin e bashkëpunimit. Përmes një postimi në rrjetin social X, sulmuesi u shpreh “shumë i zhgënjyer” dhe pretendoi se klubi kishte vendosur të mos respektonte një marrëveshje që, sipas tij, ishte arritur tashmë për zgjatjen e kontratës edhe për dy vite. Holandezi këmbëngul se rinovimi ishte dakordësuar qartë nga presidenti i klubit, si edhe nga drejtuesit e sektorëve sportivë, ligjorë dhe financiarë. Pra, sipas versionit të tij, nuk bëhej fjalë për një negociatë në zhvillim apo për një marrëveshje verbale, por për një angazhim të mbyllur në disa nivele të klubit.

Ky pretendim bie ndesh me versionin zyrtar të Corinthians-it, që e ka paraqitur vendimin për të mos rinovuar kontratën si pasojë të situatës financiare dhe nevojës për qëndrueshmëri ekonomike. Depay deklaroi se nuk e kishte kërkuar këtë situatë dhe se gjatë gjithë procesit kishte respektuar klubin. Megjithatë, ai paralajmëroi se nuk do të heshtë dhe se është “i detyruar të reagojë me forcë” për të mbrojtur interesat e tij.

Futbollisti holandez pritet të flasë publikisht për këtë çështje në ditët në vijim, duke premtuar se do të zbulojë më shumë detaje rreth asaj që ka ndodhur. “Nuk do ta lë këtë sjellje të papranueshme pa ndëshkim”, ishte paralajmërimi i fortë i Depay-t, një deklaratë që ka shtuar dyshimet se përplasja mund të përfundojë edhe në rrugë ligjore. Kështu, largimi i Depay-t nga Corinthians-i nuk është më thjesht një çështje financiare. Klubi dhe futbollisti kanë dy versione krejtësisht të ndryshme: Corinthians flet për pamundësi financiare, ndërsa Depay pretendon se një marrëveshje e firmosur në parim është shkelur në momentin e fundit. Çështja pritet të marrë një tjetër zhvillim me konferencën për shtyp të presidentit të Corinthians-it, Osmar Stabile.