Fitorja e parë e Solskjerit tek Junajtidi, De Gea thotë “Po”!

Beteja po luftohej në tjetër “front”, por tek Mançester Junajtid duhet të mësohesh edhe me “frontin e dytë”. Trajneri ende jo shumë I vlerësuar Ole Gunar Solskjer regjistroi një sukses të parë të madh, pasi bindi (sipas mediave) portierin David De Gea që të mos largohej. Nuk është gjë e vogël për titullarin e Spanjës, që kërkohet nga gjithë Europa (PSG në krye), dhe të cilit I përfundon kontrata verën e ardhshme. Fare lehtë, 28-vjeçari mund të priste dhe të largohej pa asnjë pengesë në 2020, por ai vendosi ndryshe.

Nuk dihet me siguri të plotë se çfarë e bindi, por e qartë është se për momentin, “Old Trafordi” iu duk vendi më I mundshëm për të pasur sukses. Paris SG nuk është aq shumë tërheqës me problemet që po kalon me Nejmarin e Mbapenë, klubet e mëdhenj në Spanjë, Real, Barça e Atletiko kanë portierë shumë të mirë, Bajerni po ashtu, ndërsa në Itali nuk kanë ndërmend të shpenzojnë aq shumë për gardianin e portës.

Shumë vendosi të shpenzonte Mançester Junajtidi, pasi I premtoi spanjollit një rrogë prej 375 000 paundë stërlina në javë (420 000 euro), që do të thotë rreth 20 milionë euro në vit. Asnjë portier në botë nuk ka rrogë të tillë, ndërsa kjo mrekulli për De Gean do të ndodhë kur skuadra të kthehet nga turneu I verës.

Sfidanti.al