Edhe “luftëtari i yjeve” Klop kërkon një Liverpul më të qetë!

Këtë herë nuk ishin lojtarët, por trajneri që vendosi këmbën “në frena”. Liverpuli sapo kishte shënuar golin e tretë në fushën e Bornmuthit, dhe gjermani udhëzoi yjet e tij në fushë që të ulnin pak ritmin. Arsyeja? Krejtësisht e kuptueshme, pasi kampionët e Europës do të kenë një dhjetor shkatërrues në ngarkesë ndeshjesh, ndaj edhe Klopi donte të kursente sado pak energji. Edhe pse bëri 7 zëvendësime në krahasim me formacionin që hodhi në fushë ndaj Evertonit, sërish kjo nuk u ndje, dhe flet qartë se tashmë të kuqtë kanë stolin e duhur për të synuar njëkohësisht titullin në Premier dhe trofetë ndërkombëtarë.

“Ishte një paraqitje e përsosur, por edhe e kontrolluar, – u shpreh Klopi, – ne shënuam gola të shkëlqyer, patëm shumë raste, por pas rezultatit 3-0 nuk ndodhi më asgjë. Lojtarëve nuk u pëlqeu shumë kjo gjë, por ishte e nevojshme që të mos rrezikonim. Nuk ishin minutat më të bukura, por duhej kështu”.

Sadio Mane u la në stol, po ashtu Divok Origi, Vajnaldum dhe Lalana nuk u rrezikuan aspak për shkak të dëmtimeve të vogla, dhe Dejan Lovren u zëvendësua menjëherë në minutën e 40-të sapo pati një lëndim. Në vend të tij u hodh Aleksandër-Arnold, që kishte radhën të pushonte. Mungoi edhe i dëmtuari Fabinjo, ndërsa u aktivizua Keita. Liverpuli mbajti topin 74 për qind, gjuajti 21 herë drejt portës ndaj 3 të vendasve.

Sfidanti.al