Myler dhe Flik vënë dorën në “plagën” e këtij Bajerni!

Dolën me kokën ulur për të dytën javë me radhë. Bundesliga nuk po i përkëdhel aspak yjet e Bajernit, që kanë kaluar nga stërfitorja 4-0 ndaj Dortmundit, në disfatat varg me Leverkusenin dhe Gladbahun. i njëjti rezultat 1-2, i pari në Mynih, i dyti jashtë, dhe thuajse e njëjta “muzikë”. E thotë trajneri Hansi Flik, i dëshpëruar për pjesën e parë. “Ka rëndësi që luajtëm mirë futboll, – u shpreh ai, – sidomos në pjesën e parë krijuam shumë raste. Veçse, nuk i shfrytëzuam dhe e lamë Gladbahun në lojë. Ishte e njëjta gjë si ndaj Leverkusenit dhe duhet të punojmë që ta ndreqim”.

“Futbolli ndryshon shumë shpejt, qoftë edhe brenda një ndeshjeje, – deklaroi Tomas Myleri, – ishte brutale që të humbisnim këtë ndeshje dhe të mos merrnim asgjë pozitive prej saj. Gjithsesi, ne e ulëm ritmin pas 50 minutave, pasi pësuam gol”. Kapiteni Manuel Nojer shton se “mungoi vetëkuptimi, pasi ne nuk e kuptuam se duhej të vazhdonim të luanim fort edhe pas 1-0”. “Në pjesën e dytë e pritëm kundërshtarin, ndaj edhe Gladbahu ushtroi presion”, – u shpreh portieri i kombëtares gjermane. Po Xhoshua Kimih? “Jam pafundësisht i dëshpëruar, – u shpreh ai, – dy ndeshje të luajtura mirë dhe të humbura. Pas pushimit dhe pas golit gabuam, por Gladbahu fitoi duke mos pasur raste të pastër”. Bajerni ka mbetur disi prapa në renditjen e Bundesligës që kryesohet po nga Gladbahu.

Sfidanti.al