Mançester Junajtidi – klubi më i shtrenjtë në botë

Ekipi i Mançester Junajtidit, brenda një viti, nga vendi i tretë u ngjit dhe doli në vend të parë, duke u cilësuar, kështu, si klubi më i shtrenjtë i futbollit në botë dhe duke kaluar, sa i përket kostos, mbas pesë vitesh, Realin e Madridit. Sipas rejtingut të revistës së njohur amerikane “Forbes”, çmimi i klubit të mësipërm britanik është, aktualisht, 3,689 miliardë dollarë. Në vend të dytë të rejtingut në fjalë, ndodhet, tani, Barcelona me 3,635 miliardë dollarë, ndërsa Reali i Madridit që, deri tani, katër vite me radhë, kryesonte listën, tani, zë vendin e 3-të me 3,58 miliardë dollarë.

Ne pesëshën e klubeve më të shtrenjtëbëjnë pjesë, gjithashtu, Bajerni i Myninut dhe Mançester Siti, ndërsa në dhjetëshe edhe katër klube të tjerë anglezë, Arsenali (i gjashti), Celsi (i shtati), Liverpuli (i teti) dhe Totenhemi (i dhjeti). Kështu, në dhjetëshën e klubeve më të shtrenjtë të botës u gjenden, menjëherë, gjashtë klube angleze, dy klube spanjolle, një gjerman dhe një italian (Juventusi i Torinos) në vendin e 9-të.

Sfidanti.al