Lajmi i fundit që u bë publik nga Federata Shqiptare e Futbollit ishte mbërritja në kampingun e Kumbëtares, pikërisht në rezidencën e saj të re të Stambollit, e presidentit Armando Duka. Ky është edhe lojtari i fundit, por më i rëndësishmi, që i bashkohet “listës De Biazi”, pas një mungese të pazakontë në Luksemburg, ku skuadra jonë u mund me një lojë për t’u harruar. Por duket se qëllimi i vërtetë i mbërritjes së numrit 1 të FSHF-së në qendrën e grumbullimit, nuk ishte mbështetja e skuadrës, për të rikuperuar moralin, me të cilin jemi defiçitarë prej kohësh. Duka sajoi një intervistë pikërisht poshtë dritares së De Biazit dhe thërriste me sa mundej, se italiani, së shpejti nuk do të jetë më pjesë e Shqipërisë, pra do t’i mbetet vetëm pasaporta, të cilën edhe deri tani e kishte të vlefshme thjeshtë si kopertinë. Ja cila ishte ironia e presidentit tonë që ka atributet e mbretit: “Nuk është për t’u mburrur nëse largon trajnerët, por fatkeqësisht unë kam hequr më shumë se një”. Dhe kjo në fakt është një mburrje autentike shqiptare, kur ndjen kënaqësinë e të qenit në avantazh ndaj dikujt, vetëm sepse ke tagrin t’i sjellësh shqetësim.
Por ironia vazhdon, kur vetë titullari i futbollit të vendit thotë përpara kamerave, diçka që vetë ka ndikuar që të mos ndodhë. “Tani çështja është, nëse do të flasim për rinovimin me trajnerin”… Dhe përfundimi është se ata nuk do të flasin më asnjëherë pë këtë temë, pasi edhe vetë De Biazi e konfirmoi me një “NO”, faktin që nuk do të jetë më trajneri i Kombëtares. Pra kaq zgjati aventura e teknikut që mbërriti kokëulur, u bë delirant dhe e përfundoi me një arrogancë ekstreme. Megjithatë, këtu gjeti mjeshtra të kësaj fushe, që edhe për vendime kaq të rëndësishme, nuk vlerësojnë as mendimin e bashkëpunëtorëve më të afërt, siç janë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Madje për t’i servirur masa të tilla ekspreme sa më të kuptueshme për publikun janë të gatshëm të organizojnë edhe komplote të dhunshme, që dëmtojnë edhe imazhin e vetë Kombëtares.