Fati i Mbapesë tek Reali është i lidhur me atë të Alvaro Moratës

Kostoja nuk është e njëjtë, por të dy nuk mund të jenë në të njëjtën skuadër. Kilian Mbape mund të shkojë tek Reali vetëm nëse Alvaro Morata largohet. Meqënëse ikja e sulmuesit spanjoll është 99 për qind e sigurt, atëherë po aq me gjasë duhet të jetë afrimi i sulmuesit francez. Morata, lojtar i akademisë madrilene, besohet se do të shkojë tek Mançester Junajtid, ndërsa mbetet e pazgjidhur çështja e pagesës për kartonin. Nga 60 deri në 70 milionë euro flitet se mund të paguhen, ndonëse lajmet e fundit janë se presidenti Perez e ka rritur pretendimin deri në 90 milionë.

Mbape kuptohet mund të kushtojë më shumë, rreth 120 apo 130 milionë euro, ndaj edhe Perez dëshiron të fitojë sa më shumë në një krah që bilanci të mos dalë shumë me humbje. Jo, se Reali e ka problem, por sepse një biznes kryhet pikërisht kështu. Mbape është shprehur se pëlqen pikërisht ekipin e Zidanit, gjë që e ka menduar që kur ishte 14 vjeç. Ai luajti shkëlqyeshëm këtë sezon për Monakon dhe kërkohet edhe nga klube të tjerë si Paris SG, Dortmund, Çelsi, Mançester Siti e Mançester Junajtid.

Sfidanti.al