Simeone pati të drejtë për Realin, por edhe për arbitrin

Pavarësisht fitores 7-3 në derbin miqësor në SHBA, Diego Pablo Simeone u tregua i kujdesshëm në prag të derbit të La Ligës ndaj Realit. Trajneri i Atletikos doli i saktë në parashikim, pasi sfida përfundoi në barazim pa gola, edhe pse u luajt në “Uanda Metropolitano”, pra në fushën e Atletit. Argjentinasi pati të drejtë edhe për diçka që e theksoi pas ndeshjes.

“Arbitri anësor e di se çfarë i tha Sergio Ramos, – u shpreh ai, – unë nuk do ta them sepse ato që thuhen në fushë, mbeten në fushë, por ishte një veprim për t’u dënuar dhe nuk u dënua”. Kjo ndodhi në pjesën e parë, dhe Simeone protestoi ashpër. Gazeta “Marka” shkroi se Ramos i tha anësorit “k… që të lindi” (një sharje për spanjollët), por ndaj tij nuk u mor asnjë ndëshkim. Ndryshe ndodhi me Diego Kostën e Atletikos, që shau arbitrin dhe u dënua me 8 javë pezullim. Ja pra, që Simeone paska pasur të drejtë edhe për këtë.

Sfidanti.al