Në përfundim të ndeshjes në fushën e Getafes ishin të gjitha premisat për një festë “të shëndoshë”. Barcelona ia doli pa Lionel Mesin, sërish të dëmtuar, si dhe fitoi për herë të parë jashtë fushe këtë sezon, arsye të mjaftueshme për të qenë të gjithë të lumtur. Gjithsesi, kënaqësia zgjati derisa Gerard Pike hyri në zonën e intervistave dhe foli para kamerave. Fjalët e tij ishin si një paralajmërim serioz, dhe kujtuan diçka që ishte botuar më herët në “El Mundo Deportivo”.
“Nuk duam që të provokohemi, – tha Pike, që foli si kapiten në mungesë të Mesit, – e thashë edhe në Pamplonë, duhet që të jemi të bashkuar, dhe kur them të bashkuar, nuk kam parasysh vetëm lojtarët, por edhe tifozët dhe drejtuesit. Kur dikush nuk di të jetojë në paqe, nuk ka diskutim. Synimi ynë është të luftojmë në fushë dhe të fitojmë tituj. Shpresoj që askush të mos provojë luftëra që kurrë nuk kanë ekzistuar, dhe që ne nuk duam që të ndodhin”.
Këto fjalë u nxitën nga një shkrim i botuar në “El Mundo Deportivo”, nënshkruar nga një gazetar (Çavi Bosh), dhe ku bëhej fjalë për fuqinë e madhe që kanë lojtarët në klub. “Marka” komenton se për disa gjëra artikulli kishte të drejtë, por akuzonte lojtarët për shumë gjëra që nuk i kishin bërë. Pike e tha qartë se “ne e njohim klubin, e dimë se kush ka miqësi me gazetat dhe kush i porosit artikujt, ndonëse vihet emri i dikujt tjetër”. Pas shkrimit, lojtarët katalanas u mblodhën në një darkë ku siç kuptohet, u diskutuar për t’i dhënë klubit një përgjigje.
Sfidanti.al