Reali i Madridit është bërë me të vërtetë i mërzitshëm!

E pabesueshme, por e vërtetë, Reali i Madridit, tri herë fitues radhazi i Ligës së Kampioneve të Evropës, është bërë i mërzitshëm, madje edhe kur fiton! Në ndeshjen e fundit të La Ligës, Reali i shpëtoi turpit, duke mundur me shumë vështirësi 1-0 Rajo Valekanon që, në fakt, ka mbrojtjen më të dobët në kampionatin spanjoll, por në “Santaigo Bernabe” pësoi vetëm një gol, të cilin e shënoi Karim Benzema.
Pak ditë më parë, Reali pësoi një humbje poshtëruese 3-0 nga CSKA e Moskës mu në mes të Madridit, në “Santiago Bernabe”, një humbje, të cilën askush nga tifozët nuk ia fali Realit, megjithëse ai ishte kualifikuar për në fazën e mëtejshme të Ligës së Kampioneve. Para ndeshjes me CSKA-në, Reali fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Hueskës që zë vendin e fundit në tabelën e klasifikimit të La Ligës spanjolle.
Shkurt, Reali i Madridit, edhe pse e ndërroi trajnerin Hulen Lopetegin, duke vendosur një trajner të ri, Santiago Solari, vazhdon të luajë dobët dhe, për më tepër, gjë që është e pabesueshme, loja e tij është bërë e mërzitshme!
Sfidanti.al