Oblak, dikur u duk se i kushtoi shumë Atletikos, 16 milionë euro!

Është portieri që pëson më pak gola në Spanjë, dhe një nga më të mirët e botës. Jan Oblak njihet tashmë nga fraza-stampë e komentimit të ndeshjeve në La Liga, që është “çfarë pritjeje nga Oblak”. Portieri slloven rinovoi kontratën me Atletikon deri në 2023, duke plotësuar dëshirën e klubit, të trajnerit Simeone dhe të tifozëve, ndërsa klauzola e transferimit u rrit edhe më shumë, duke qenë të paktën 100 milionë euro.

Atletiko e mori Oblakun në korrik 2014, duke paguar 16 milionë euro për kartonin e tij, që e kishte Benfika. Në atë kohë, mediat shkruan se ishte një transferim i shtrenjtë, por sot duket një marrëveshje e shkëlqyer. Rekordin botëror të transferimit të një portieri e mban Kepa Arrizabalaga i Çelsit, për të cilin iu dhanë Atletikut të Bilbaos plot 80 milionë euro. Liverpuli pagoi 62.5 milionë euro për Alisonin e Romës, ndërsa rekordi që rezistoi gjatë ishte ai i blerjes së Bufonit nga Juventusi në vitin 2001, për të cilin iu paguan Parmës 52 milionë euro.

Sfidanti.al