Mesi kokëulur edhe pas titullit, dhe pas Këpucëve të Arta!

Një fitues i lindur nuk mund të ngushëllohet kurrë kur humbet. Lionel Mesit nuk ia mbushin më syrin titulli kampion në Spanjë, Kupa e Mbretit të cilën mund të fitojë tani shpejt, dhe dy Këpucët e Arta, njëra në La Liga dhe tjetra në Europë. Kaq shumë sfida të fituara, por sërish e humbur ajo që ai e cilësonte si kryesoren, suksesin në Champions. Katastrofa në “Anfild” nuk do t’i ndahet nga kujtesa dhe pritet të mbetet më gjatë në mendje se elminimi i tmerrshëm sezonin e kaluar nga Roma.

Mesi shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 të Barcelonës ndaj Getafes, duke arritur në 35 rrjeta këtë sezon në kampionat, dhe në 49 gjithsej në sezon, një nga vitet më të mirë sportivë të tij. Argjentinasi ka shanse të mëdha të fitojë Topin e Artë në fund të këtij viti dhe të shpallet Lojtari i vitit nga FIFA, gjë që do ta ngjiste mbi Kristiano Ronaldon. Gjithsesi, kapiteni katalanas është shumë i dëshpëruar që nuk e fitoi dot Championsin në sezonin që duket i duhuri, dhe nuk është i sigurt nëse Barça do të jetë aq e fortë sa ta fitojë në të ardhmen.

Sfidanti.al