Atletikon nuk e ndal as VAR-i, Juventus të duhet një mrekulli!

Pritej një barazpeshë, por kjo nuk u duk. Jo sepse Atletiko e dominoi Juventusin në Madrid, por sepse e mundi, madje e bëri pastër. Me vetëm 37 për qind të mbajtjes së topit, të besuarit e trajnerit “të çmendur” Diego Pablo Simeone, ishin të shpejtë si rrufeja në kundërsulme, duke kapërcyer edhe vendimet e VAR-it, që i patën kundër.

Diego Kostës iu dha një penallti nga arbitri, por iu hoq (me të drejtë nga teknologjia) për faull të shkaktuar jashtë zone. Alvaro Morata shënoi dhe fillimisht goli i pjesës së dytë u quajt i rregullt, por përsëri pati këshillim me VAR-in që tregoi se sulmuesi spanjoll shtyu (fare pak) Xhorxho Kielinin.

Sidoqoftë, një Atletiko e vendosur dhe e fortë si guri, nuk mund të ndalohej. Hoze Himenez në 78’ dhe Diego Godin në 83’ ishin autorët e golave të një fitoreje të rëndësishme, edhe pse ende jo kualifikuese. Të dyja skuadrat bënë shumë për të fituar, në “Uanda Metropolitano”, duke qenë thuajse barabar me gjuajtje (13-14 për Juven, 5-3 për Atletikon ato në kuadrat), apo për goditjet nga këndi (8-7 për vendasit).

Juventusi nuk arriti ta shkatërronte mbrojtjen shumë të fortë të vendasve, dhe as të merrte masat nga kundërsulmet vrasëse të Grizmanit, Kostës, Moratës apo Kokes. Kristiano Ronaldo nuk arriti të shënonte për Juven, edhe pse pati dy mundësi të mira, fillimisht me goditje dënimi, dhe pastaj me goditje me kokë. Kampionët e Italisë duhet të bëjnë një mrekulli në ndeshjen e dytë në Torino, për t’u kualifikuar.

Sfidanti.al