“Ligën e Kampionëve e kam fituar prej lojtarëve si Mesi, Ksavi apo Iniesta”. Ky ishte rrëfimi i sinqertë i Pep Guardiolës përpara duelit me Shalken në Gjermani, rrëfim që e ka bërë edhe në të kaluarën, në lidhje me Mesin. Gjithsesi, e kaluara tashmë nuk kthehet më, dhe katalanasi duhet ta fitojë Championsin me Mançester Sitin. Edhe pse pa “aureolën” e Realit, Barçës apo Bajernit, sërish kampionia e Anglisë arriti një nga ato fitore që mund të hedhin themelet për një epokë të lavdishme.
Në stadiumin e Shalkes, në Gelsenkirshen, provoi të ishte në avantazh, pastaj të kalonte në dizavantazh, të mbetej me 10 lojtarë në fushë, por edhe të reagonte në mënyrë sublime, për të fituar 3-2. Sergio Aguero ishte autor i golit të parë, Bentaleb realizoi dy herë me penallti për gjermanët, Otamendi doli me të kuqe në 68’, por Leroi Sane dhe Rahim Stërling vulosën përmbysjen.
Siti fitoi si gjithnjë, me lojën sulmuese pa kompromi, dhe me kombinacione të shkallës së lartë të vështirësisë. Ky është stili i njohur i Guardiolës, që nuk ndryshoi as pas minutës së 68-të, në inferioritet numerik. Në të kundërt, Shalke u mbyll në portë dhe u detyrua të kapitullonte. Anglezët mbajtën topin 66 për qind, gjuajtën 21 herë drejt portës (7 Shalke) dhe 6 herë në kuadrat (2 herë Shalke), si dhe patën epërsi në goditje nga këndi, 9-2. Tashmë, po që mund të thuhet se Siti mund ta fitojë Championsin.
Sfidanti.al