Xhoshua Kimih habit vazhdimisht, Bajerni ka shpresë të jetë gati

Në 4 nëntor, tifozët e Bajernit dhe ata të Dortmundit u habitën kur panë në formacionin bavarez mbrojtësin Xhoshua Kimih. Lojtari i kombëtares nuk ishte mirë nga stomaku dhe nuk parashikohej që të luante, por Jup Hajnkes vendosi t’i besonte në derbin e Gjermanisë, të cilin Bajerni e fitoi 3-1.

Në Dubai, gjatë fazës përgatitore, sërish pati probleme për 22-vjeçarin, i cili bëri vetëm një seancë stërvitore me skuadrën. Pjesën tjetër të kohës, Kimih punoi në mënyrë individuale, por ndoshta do t’ia dalë përsëri që të jetë gati për ndeshjen e radhës, atë të së premtes në orën 20:30 ndaj Leverkusenit.

Gazeta “Bild” informon se mbrojtësi ka realizuar një seancë stërvitore vërtet individuale, por me ritëm tepër të lartë dhe me ushtrime të vështira, si kalim zig-zak të pengesave, vrapim me ndryshim të menjëhershëm drejtimi dhe gjuajtje. Këto ushtrime nuk mund të bëhen nëse nuk je plotësisht në formë dhe Kimih duket se ia ka hedhur përsëri dhe se do të habisë edhe një herë tjetër.

Sfidanti.al