Verën e kaluar u kërkuan shuma tepër të mëdha dhe asgjë nuk u arrit. Asnjë nga “gurët e dominosë” nuk u rrëzua që të merrte me vete edhe të tjerët dhe Aleksis Sançez mbeti tek Arsenali. Këtu, veçse, kishte një problem, pasi kontrata e kilenit përfundonte (dhe përfundon) në qershor 2018, pra nëse londinezët do të duan të fitojnë diçka prej tij duhet ta transferojnë tani në janar.
Këtë edhe po përpiqet të bëjë Arsen Venger, dhe e ka gjetur një “blerës” tek Pep Guardiola. Gjithsesi, trajneri i Mançester Sitit ka një avantazh, atë që pas 6 muajsh e merr falas “mallin” që do, dhe kjo ka bërë që bisedimet të vështirësohen. Arsenali kërkon 40 milionë euro afërsisht, Siti përgjigjet se jep jo më shumë se 25.
Kush do të fitojë në këtë luftë nervat që mund të vazhdojë deri në 31 janar? Guardiola, do të thotë shumëkush, por edhe trajneri katalanas e ka një problem. Dëmtimi i Gabriel Zhezusit ka bërë që ai të mbetet ngushtë për sulmues, ndërsa shpejt fillon edhe Championsi, përveç ngarkesës së zakonshme në Premier Ligë, në Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës.
Zhezus mund të mungojë deri në 2 muaj, dhe Siti nuk dëshiron të mbetet zbuluar. Kjo mund të bëjë që Guardiola t’i afrohet sado pak asaj që kërkon Venger, aq më tepër që klubet duan të ruajnë marrëdhënie sa më të mira me njëri-tjetrin. E sigurt duket vetëm një gjë, që Aleksis Sançez me shumë gjasa në shkurt do të ketë fanelën e Mançester Sitit dhe mund të ëndërrojë për të fituar trofe.
Sfidanti.al