Presidenti i Dortmundit: Kur je i pari mendon vetëm titullin

E shtuna është supersfida e Bundesligës, dhe presidenti i Dortmundit, Rajnhard Rauball, u intervistua për këtë ndeshje, nga agjencia gjermane DPA. Pra, çfarë pret ai nga përballja në “Alianc Arena”? Rauballi 72-vjeçar, nuk u fsheh aspak. “Kur je në vendin e parë, nuk mund të mendosh gjë tjetër përveçse titullin, – tha ai, – në fund të kampionatit, ne duam të jemi këtu ku jemi tani”.

Dortmundi ka dy pikë më shumë se Bajerni, por luan në fushën e këtij të fundit, pra një humbje mund ta linte prapa. “Unë di që skuadra jonë dëshiron të fitojë, – vazhdoi presidenti i Dortmundit, dhe presidenti i ligës, – dëshiron të realizojë objektivin që e ka pohuar në fshehtësi në vetvete, por që nuk e kanë thënë ende publikisht”.

“Ndeshja është e madhe, ne jemi në krye dhe për disa vjet e kemi rivalizuar Bajernin, – u shpreh Rauballi, – për këtë arsye, ndoshta, quhet El Klasiko. Jam i sigurt se skuadra jonë do të jetë e përgatitur”. Dortmundi kryeson Bundesligën me 63 pikë pas 27 javësh, Bajerni ka 61.

Sfidanti.al