Kujdes “Herr” Kovaç, stoli i Bajernit është i nxehtë dhe të djeg!

Në Mynih pati emra të mëdhenj si Oto Rehagel që nuk mbyllën sezonin. Po ashtu edhe Jurgen Klinsman, ndonëse si trajner “Klinsi” nuk cilësohet në nivelin më të lartë të mundshëm. Po ashtu, të shquar si Luis Van Gal e Feliks Magat u dogjën dhe u larguan si pa gjë të keqe, edhe pse holandezi fitoi Bundesligën dhe Kupën në sezonin e parë, ndërsa Magat fitoi Bundesligën e Kupën për dy sezone radhazi.

Tek Bajerni nuk ka shaka, dhe këtë duhet ta dijë mirë edhe trajneri i tanishëm Niko Kovaç. Barazimi në Augsburg nxorri përsëri në dritë kritikat për kroatin, por edhe problemet në “Alianc Arena”. Kutinjo erdhi vetëm në fund fare, Hernandez ka pasur dëmtim dhe ende nuk është në 100 për qind, tani u dëmtua edhe Zyle, ndërsa presidenti Uli Hënes do të largohet, i pasuar nga Oliver Kahn, një arsye më shumë për të lëkundur ekuilibrat. Përsa i përket çështjes “Tomas Myler”, vetë Kovaç ka fajet e tij. Gazeta “Bild” me të drejtë ngacmon duke thënë se Kovaçi dhe djemtë e tij duhet të tregojnë se humbja 1-2 me Hofenhajmin, dhe barazimi 2-2 në Augsburg janë përjashtime, dhe nuk është përjashtim fitorja 7-2 ndaj Totenhemit në Champions.

Sfidanti.al