Halandi për “luftëtarin” Humels dhe “të ndershmin” Raiola!

Mos u habisni, dhe ndoshta nuk duhet t’ia thoni këtë njerëzve si Sër Aleks Ferguson apo Ole Gunar Solskjer. Gjithsesi, secili sheh interesin e tij, dhe Mino Raiola ka parë të vetin, ndaj edhe ish-trajneri e trajneri i sotëm i Mançester Junajtidit nuk e duan. Erling Halandi e vlerëson, të paktën kështu thotë publikisht, duke e quajtur një njeri të ndershëm, që i thotë gjithnjë të vërtetën. Sulmuesi norvegjez ka dy vjet që bashkëpunon me agjentin e njohur dhe thotë se e ka ndihmuar shumë. Në moshën 19-vjeçare ka arritur tek Dortmundi ku po shënon gola, dhe një dorë ia ka dhënë edhe Raiola.

Njeriu tjetër, për të cilin Halandi flet në mënyrë të veçantë, është Mats Humels. Mbrojtësi i qendrës ka fituar shumë trofe në karrierë, ka dalë edhe kampion i botës, dhe norvegjezi e sheh si një shembull që duhet ndjekur. “Humelsi ka përvojë të madhe, ka edhe autoritet dhe është udhëheqës në grup, – thotë Halandi, – ai ka fituar shumë dhe unë dua t’i ngjaj”. Përtek Humelsit, Halandi vlerëson edhe Sançon dhe Delanein.

Sfidanti.al