As Napoli e as Atletiko Madrid; Hames Rodrigez qëndron tek Reali

Hames Rodrigez ishte i destinuar të linte përfundimisht Realin e madridit, por duket se gjërat kanë ndryshuar totalisht dhe kolumbiani mund të qëndrojë në Santiago Bernabeu. Kjo është ajo që publikohet te e përditshmja spanjolle AS, sipas së cilës Los Blancos kanë vendosur të mbajnë atë në skuadër, një vendim që erdhi pas humbjes së rëndë me Atletikon e sidomos pas dëmtimit të rëndë të Asensios në ligamentet e gjurit të majtë.

Gjithnjë sipas AS, klubi merenges e ka njoftuar futbollistin për këtë vendim të tij për të mos lejuar largimin nga skuadra. ndërkaq, Hames Rodrigez është kthyer nga pushimet pas Copa America dhe filloi stërvitjen në Valdebebas me skuadrën pas 787 ditësh, duke qenë se 2 sezonet e fundit ai ishte pjesë e Bajernit të Mynihut që në fund nuk e bleu kartonin e tij prej 42 milionë Eurosh.

Florentino Perez nuk deshi që Hames të kalonte te Atletiko që i ka marrë edhe Markos Jorente dhe Alvaro Moratën dhe opsioni i vetëm për të ishte shitja e tij jashtë Spanjës, por Napoli e donte vetëm në formën e huazimit. Ndërkaq edhe tifozët e Realit ishin kundër kalimit të Hames Rodrigez te rivalët e Atletikos

Duke parë këtë skenar, sipas AS, Reali i madridit do të preferonte që të mbante Hames që erdhi në Bernabeu në 2014 nga Monako për 80 milionë Euro. Kolumbiani, një prej lojtarëve me më shumë ndjekës edhe në rrjetet sociale, shkëlqeu në sezonin e tij të parë te Reali me Ancelottin në pankinë i cili e aktivizonte gjithmonë teksa realizoi 17 gola e dha 18 assist. Por me Zidane ra pak në hije dhe provoi të rilancojë karrierën e tij diku tjetër.

sfidanti.al