Zvicra “mund” edhe inteligjencën artificiale, tifozët janë në ekstazë!

Kur hyri në sallën e konferencës për shtyp bëri diçka. Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, i shpallur si lojtari i ndeshjes ndaj Francës, ia dedikoi trofeun pikërisht trajnerit Vladimir Petkoviç. Një shprehje e qartë e unitetit në ekipin që eleminoi kampionët e botës, duke krijuar entuziazëm tek publiku dhe mediat. Tifozët zviceranë ishin në qiellin e shtatë pas suksesit të papritur. Sipas sondazheve para ndeshjes, ata nuk besonin aspak në fitore, por ndodhi mrekullia, jo “masakra”, siç shpreheshin disa prej tyre. Ku i dihet, “Nati” siç e quajnë ata kombëtaren, mund të bëjë një mrekulli aq të madhe sa të fitojë Europianin!

“Çmenduri, – shkruan media zvicerane “Blik”, – Franca u flak tej me dramën e penalltive. Portieri Zomer kaloi kombëtaren në çerekfinalen e Europianit!” “Blik” po ashtu bën shaka në FB duke botuar një foto të Kullës Ejfel me ngjyrat e flamurit zviceran. Përshkrimi: Ndërkaq në Paris! E përditshmja gjeneraliste zvicerane “20 Minuta” ka në kopertinë foton e portierit Zomer dhe komenton se “Jan Zomer u bë heroi, Franca u eleminua dhe tifozët janë në gjendje ekstaze!”

E kundërt atmosfera tek francezët, me tifozët që ishin të zhgënjyer pasi prisnin shumë më tepër nga lojtarët e tyre që cilësoheshin favoritë të turneut, dhe shumë superiorë ndaj këtij kundërshtari. Tifozët u shprehën se “gjelat” nuk patën dëshirë, nuk dhanë maksimumin dhe prandaj u mundën”.

“Të fshirë me fshesë”, është titulli kuptimplotë i të përditshme “L’Ekip”, që vazhdon se “në vend që të mbronin 2 gola epërsi për 6 minuta, blutë u detyruan të dorëzohen pas gjuajtjeve të penalltive”.

Zvicra shkatërroi edhe mitin e inteligjencës artificiale, për të cilën shumëkush thotë se është e rrezikshme dhe e pagabueshme. Sipas televizioneve franceze, inteligjenca artificiale kishte parashikuar pikërisht Francën si fituese të Europianit, por doli më shumë gabim sesa oktapodi Pol në Kupën e Botës 2014 në Brazil. Në televizionin “RMC” parashikojnë që Zinedin Zidan është gati për t’u bërë trajner i Francës, nëse Didie Deshamp largohet. Kontrata e trajnerit aktual vlen deri pas Kupës së Botës vitin e ardhshëm.

Më i dëshpëruari në botë ato çaste askush tjetër përveçse Mbape. “Shumë e vështirë të kthehet një faqe, – shkruajti ai në Tuiter, – trishtimi është i pamasë pas këtij eleminimi, dhe dështimit në objektivin tonë. Jam i dëshpëruar shumë për penalltinë, doja të ndihmoja ekipin, por gabova. E vështirë të mbyllësh sytë, por fatkeqësisht këto janë rreziqet e profesionit që dashuroj”. Sulmuesi i Paris SG humbi penalltinë që vulosi eleminimin.

Sfidanti.al