Zllatani thyen rekordin e Ravelit me një shërbim për gol!

Tashmë ai është lojtari më i vjetër që ka luajtur ndonjëherë për kombëtaren e Suedisë, dhe rikthimi nuk ishte aspak pa kuptim. Zllatan Ibrahimoviç bëri një dalje të dytë në skenë duke qenë titullar në ndeshjen eleminatore të Kupës së Botës ndaj Gjeorgjisë. Në një fitore shumë të vështirë 1-0, Ibra shërbeu topin e golit për Viktor Klesenin në minutën e 35-të. Trajneri Anderson e largoi nga fusha disa minuta para fundit, ndërsa prania e tij ishte e rëndësishme. Ibrahimoviç është më shumë se 39 vjeç dhe theu rekordin e Tomas Ravelit, pasi ish-portieri luajti deri në moshën 38 vjeç e 59 ditë. Ai nuk e shtoi dot numrin e golave që mbeti në 62, por mund ta bëjë në të ardhmen. “Unë nuk jam këtu sepse quhem Zllatan Ibrahimoviç, por sepse e meritoj që të jem, – u shpreh ai para ndeshjes, – nuk vlen ajo që kam bërë më parë. Unë ndihem në formë, dua që të jem në lojë dhe ndjej se mund të jap ende për kombëtaren”.

Sfidanti.al