Zidan pati arsye të forta për të ikur, cilat ishin ato?!

“Po prezantoj si trajner të Realit, një njeri për të cilin fjala “e pamundur” nuk ekziston”. Kështu u shpreh Florentino Perez ku paraqiti Zinedin Zidanin si njeriun që do të ulej në stolin “më të nxehtë” të futbollit në botë. Zizuja provoi se fjala “e pamundur” nuk ekzistonte për të, me të vërtetë, të paktën në Champions, ku në gati 3 vjet nuk njohu asnjë eleminim dhe e fitoi trofeun gjithnjë.

Gjithsesi, në raportin e mbiquajtur perfekt pati harmoni të paplotë. Mediat spanjolle dhe ato europiane tregojnë se Zidan vërtet pati dorë të lirë për të punuar me skuadrën, por aspak dorë të lirë për të ndërtuar të ardhmen. Ndoshta, as nuk deshi të kishte dorë të lirë për ta bërë, duke e trajtuar vetveten si një “rimorkiator” që të nxirrte Realin nga “ujërat e turbullta” të periudhës pas Ançelotit dhe të Benitezit.

Zidan menaxhoi mirë Ronaldon, Benzemanë, Modriçin, Krosin, Kejlor Navasin, Asension apo Lukas Vaskezin, por nuk pati asnjë plan për të sjellë yjet e rinj në “Bernabeu”. Po ashtu, ndjeu presionin e pakënaqësive të Bejlit apo Iskos. Kulmi ishte kur, në janar, klubi deshi të merrte portierin Kepa, që ai nuk e donte, ndërsa po ashtu klubi nuk pëlqente portierin Kejlor Navas, të cilin Zidan e vlerësonte.

Një arsye e madhe mund të jetë afrimi i momentit të largimit të Ronaldos, lojtarit më të rëndësishëm në skuadër, edhe në moshën 33-vjeçare. Pa të, dhe me ardhjen e mundshme të Nejmarit, në “Bernabeu” mund të niste një krizë pushteti, që mund të shkatërronte gjithçka. Zidan nuk mund të pranonte që kjo të ndodhte, dhe nuhatja prej kampioni të madh të futbollit nuk e tradhëtoi, ndaj edhe dha dorëheqjen.

Sfidanti.al