Zidan nuk e quan turp, por mediat spanjolle duan “kokën” e trajnerit të Realit!

Një emër i hyrë në legjendë si Zinedin Zidan nuk duket tani si trajneri me prekjen magjike, por si një njeri që ka humbur busullën, ndonëse ai nuk e pranon. Francezi u duk shumë i dëshpëruar pas eleminimit të Realit të tij nga Kupa e Mbretit, shkaktuar nga ekipi i kategorisë së tretë, Alkojano, por doli sfidues në konferencën për shtyp. “Nuk është një turp, – tha Zizuja, – është diçka që ndodh në futboll, gjithsesi ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë dhe të vazhdojmë punën. Nuk kemi ndërmend të çmendemi. Është një moment i vështirë dhe duhet të bëjmë më shumë, por skuadra po përpiqet”.

Pavarësisht qendrimit të trajnerit, mediat spanjolle tashmë kërkojnë edhe “kokën” e tij, ndonëse bëhet fjalë për një emër kaq të madh. “Askush nuk shpëton dot nga ky turp”, – titullon “Marka”, duke e cilësuar eleminimin si humbjen më të rëndë të epokës së Zidanit. “AS” shkruan se Realit i shpëtoi titulli i dytë në një javë, dhe se “Zidan është i prekur (tocado)”, që do të thotë edhe e ka ndjerë thellë disfatën dhe ka humbur shpresën, por edhe që është më i rrezikuar për t’u shkarkuar. “Le të ndodhë çfarë të ndodhë”, – janë fjalët e Zidanit përballë mundësisë për të humbur vendin e punës.

Sfidanti.al