Zemërimi i tifozëve të Liverpulit, dy arbitra nga Mançesteri për ndeshjen ndaj Sitit!!!

Ata që mbajnë bilbilin në qafë, dhe ata që drejtojnë VAR-in janë së pari profesionistë, por gjithsesi njeriu nuk mund të shkëputet plotësisht nga prejardhja apo nga “llagapi”. Për tifozët e Liverpulit ka lënë një shije shumë të keqe fakti se drejtuesit e Premier Ligës kanë caktuar për ndeshjen ndaj Mançester Sitit, dy arbitra që janë gjeografikisht më pranë “qytetarëve” . Arbitri kryesor do të jetë Entoni Tejlër që është nga Uithenshajv në zonën e Mançesterit, ndërsa tek VAR-i do të jetë Pol Tierni që është nga Uigani, qytet që përfshihet në zonën e quajtur “Mançesteri i Madh”. “Mançesterasit do të arbitrojnë për mançesterasit”, ishte reagimi i tifozëve liverpulas në rrjetet sociale. Liverpuli luan të dielën në fushën e Sitit atë që mund të jetë një finale e Premier Ligës për titullin kampion.

Sfidanti.al