Xhampaolo ka të drejtë që flet me “ne”, por shkarkimi bëhet me “ti”!

Mund të jetë një ndeshje kthese, por edhe “groposjeje” përfundimtare. E tillë, sfida ndaj Xhenoas në stadiumin “Marasi” për trajnerin e Milanit, Marko Xhampaolo, që rrezikon shumë pas nisjes së dobët të Serisë A. Disa humbje radhazi kanë krijuar bindjen se ai mund të jetë i pari që të shkarkohet në elitën e Italisë, por ai nuk përgjigjet për veten.

“Nuk duhet të arsyetojmë me “unë”, por me “ne”, – u shpreh Xhampaolo, – kam përgjegjësi që të kem sukses me Milanin, jo thjesht me veten time. Interesat individuale nuk vlejnë aspak”. Gjithsesi, njeriu i stolit kuqezi e di se kur vjen puna tek përgjegjësitë, ato janë me “ti”, ashtu siç është edhe shkarkimi, pasi dihet që në futboll nuk largohen lojtarët, por trajneri, në cilëndo situatë.

Xhampaolo pohon se humbjet e kanë dëmtuar moralin e skuadrës, dhe se ai po përpiqet ta ngrejë lart atë. “Nuk duhet të fshihemi, jemi marrë shumë me këtë, – tha ai, – jam i bindur se skuadra ka mundësi të mëdha përmirësimi, por së pari është forca mendore”.

Sfidanti.al