Harri Kejn është në bisedime të avancuara me Realin e Madridit për një transferim ndoshta që sezonin e ardhshëm. Djali i formuar si futbollist tek Totenhemi besohet se do ta ketë të pamundur të mbajë besnikërinë ndaj klubit-mëmë, ashtu si bëjnë 99.99 për qind e futbollistëve në të gjithë botën (ky është globalizëm, apo jo?).
Mediat britanike japin këtë skenar, sipas të cilit Spërsat vështirë se do ta mbajnë sulmuesin e tyre më të mirë, që është padyshim njëri nga më të mirët e botës së bashku me Levandovskin, Nejmarin apo Mbapenë. Por, sa do të duhet Reali të paguajë për shërbimet e anglezit 24-vjeçar, ndërsa thuhet se kërkon edhe Del Alin, lojtarin tjetër të Totenhemit?
Sipas studimit të fundit për vlerën e lojtarëve, kartoni i Kejnit vlerësohet në 200 milionë euro, ndërsa Ali (apo Ejli) shkon në 180 milionë euro. Pra, madrilenët do të duhet të paguajnë 380 milionë euro, veçse në Angli mendojnë se këto para nuk do të mjaftojnë. Presidenti i Totenhemit, Levi, është “dhelpër” e vërtetë në bisedime, ndërsa ai do të kërkojë shumë më tepër pas transferimeve të Nejmarit, Mbapesë e Kutinjos.
Sfidanti.al