Viti yjor i Mesit, golat, asistet, fitoret si askush tjetër në botë!

Le t’i marrim “bëmat” e tij me radhë. Lionel Mesi doli fitues në El Klasikon e luajtur në “Santiago Bernabeu” dhe ka më shumë fitore në Madrid sesa në Barcelonë, kur vjen puna te kjo sfidë. Ka 10 fitore në 19 ndeshje në “Bernabeu” dhe më pak në “Kamp Nou”. Këto 10 fitore e bëjnë futbollistin që ka arritur më shumë fitore në fushën e Realit.

Po ashtu, ka shënuar më shumë gola në “El Klasiko”, 25, shumë më tepër sesa Di Stefano (18) dhe Ronaldo (17). Edhe këtu, ka më shumë rrjeta jashtë fushe sesa brenda. Në Madrid ka realizuar 15, në Barcelonë “vetëm” 10. Nga këta gola, 17 janë në La Liga, edhe këtu një rekord, pasi askush tjetër nuk ka arritur deri këtu. Zarra, Igoa e Gorrostiza i kishin shënuar Realit nga 16 gola.

Mesi ka 15 gola në La Liga, duke qenë golshënuesi më i mirë për momentin, dhe duke u bërë i pari lojtar në kampionatin spanjoll që shënon të paktën 15 gola në 10 sezone radhazi.

Leo e mbyll vitin në vend të parë për golat, me 54, edhe pse Harri Kejn mund ta kalojë. Mesi është lojtari i katërt në botë për asistet në 2017 (16), i treti lojtar me më shumë pasime vendimtare (136), si dhe futbollisti që ka dhënë më shumë pasime të mira (244), 69 më shumë sesa Hazar i vendit të dytë dhe 100 më shumë sesa Nejmar që mbyll “podiumin”.

Sfidanti.al