Legjenda e futbollit kroat, Davor Shuker, pjesëtar i “epokës së bronzit” të kampionatit botëror 1998, u rizgjodh si president i Federatës së Futbollit të Kroacisë në kongresin zgjedhor që u mbajt, këto ditë, në Zagreb. Ashtu sikurse ndodh rëndom, por çuditshëm në vendet ballkanike, përballë Shukeri nuk pati asnjë kundërkandidat, ndërkohë që shumica e delegatëve e ngriti dorën në favor të tij. Në fakt, vetëm një votë ishte kundër, por edhe ajo erdhi nga kundërkandidati që nuk arriti ta paraqiste kandidaturën e tij, Dario Shimiç, ndërsa tre delegatë, të gjithë nga Rieka, abstenuan.
Por, megjithatë, rizgjedhja e Shukerit nuk kaloi vaj, pasi përfaqësia e delegatëve të Splitit dhe ata të klubit të njohur kroat, Hajdukut të Splitit, u larguan në formë proteste para se të fillonte procesi i votimit në Asamble, pasi propozimi për shpërndarjen e saj nuk u pranua. Trazirat filluan, kur u fik mikrofoni, sapo fjalën e mori kryetari i këshillit mbikëqyrës të Hajdukut, Sllaven Marasoviç.
“Gjithçka është e paligjshme, një cirk i vërtetë. Rregullorja u shkel me të dyja këmbët. Kryeministri ka thënë se në Federatën tonë duhet të bëhet rifreskim, por ky nuk mjafton, pasi në këtë Federatë duhet të ndodhë një stuhi e vërtetë që të zëvëndësohen që të gjithë, nga A-ja deri te Sh-ja”, vuri në dukje njeriu nr.1 i Hajdukut të Splitit, Ivan Kos, duke aluduar hapur për Shukerin, të cilin nuk e do shumica e tifozëve kroatë.
Sfidanti.al