Quhet Luis Suarez, por mund të thirret edhe “Zotëria 400-golësh”

E nisi karrierën gati 13 vjet më parë në klubin e shquar uruguajan, Nasional të Montevideos. Quhej Luis Suarez dhe shpejt e gjithë bota do ta njihte, por jo vetëm për kafshimet. Sulmuesi i sotëm i Barcelonës arriti kuotën e 400 golave si futbollist profesionist, diçka që janë të paktë ata që e kanë realizuar. Rrjeta në portën e Realit të shtunën në “El Klasiko” ishte pikërisht e 400-ta, duke llogaritur për klubet dhe për kombëtaren.

Tek Nasionali nuk pati shumë kohë dhe shënoi 12 gola në 34 ndeshje, në Holandë e filloi me Groningenin ku luajti vetëm 1 sezon duke realizuar 15 rrjeta në 37 takime, dhe pastaj u mor nga Ajaksi. Me ekipin e madh nga Amsterdami pati karrierë të shkëlqyer me 111 gola në 159 ndeshje, aq sa u ble menjëherë nga Liverpuli. Me 82 realizime në 133 përballje nuk zhgënjeu aspak, ndërsa Barcelona pagoi mbi 80 milionë euro për kartonin e tij në 2014.

Aty është në sezonin e katërt, duke qenë për 3 edicione pjesë e MSN-së, treshes më të madhe sulmuese të historisë, që ka vendosur rekordet e golave. Ka realizuar 131 herë në 169 takime. Me klubet ka gjithsej 351 gola, por 49 i ka për Uruguajin në 95 takime, dhe rrumbullak llogaria del 400.

Sfidanti.al