Habia ishte kaq e madhe për atë që ndodhi, saqë nuk i shkoi mendja kujt as për të bërë kritika. Dueli Liverpul-Salcburg u quajt “një çmenduri dhe aq”, duke anashkaluar disi gabimet e mbrojtjes angleze, ku më shumë hutimi ishte për pakujdesitë e gjigandit Virgil Van Dajk. Mbrojtësi holandez i qendrës, i ndërgjegjshëm se nuk ishte aty ku duhet, mendon se ka gjetur formulën që të lihet pas dueli i Championsit.
“Shumëkush mund të jetë kapur nga frika, dhe mund të gjejë gabimet dhe anët tona negative në këtë ndeshje, – tha ai, – por, ne nuk duhet të bëjmë kështu. As nuk dua t’i mendoj gjërat negative. E dimë mirë se mund të kishim luajtur mirë, dhe se duhej të kishim luajtur më mirë, por edhe ne jemi njerëz, dhe nuk mund të jemi gjithnjë të përsosur. Ne si lojtarë nuk jemi kaq shumë të shqetësuar për këtë që ndodhi. Ndonjëherë ndodh”.
“Nuk ka arsye për panik, – vazhdoi Van Dajku, – thjesht duhet të pushojmë për të mbledhur veten, të harrojmë dhe të përqëndrohemi tek ndeshja e radhës”. Dueli i radhës është ai i së shtunës në Premier Ligë, kur në “Anfild” vjen Leisteri në orën 16:00. “Të jeni të sigurt se do të përmirësohemi”, – ishte premtimi i qendërmbrojtësit.
Sfidanti.al