Vale Rosi e ka “armikun” në shtëpi, Jamaha si Mercedesi

Nëse vjet dueli “vëllavrasës” ishte Rosberg-Hamilton, këtë herë ai ka kaluar tek motorët dhe është Vinjales-Rosi. Ndryshe, një spanjoll i ri dhe një italian legjendar që sfidojnë njëri-tjetrin me motorin e njëjtë, japonezin Jamaha. Në Çmimin e Madh të Argjentinës fitoi sërish i riu, Vinjales, me suksesin e dytë radhazi, në dy gara të Botërorit të Moto GP-së. Spanjolli kryeson renditjen me 50 pikë të plota, veçse Valentino Rosi nuk u dorëzua dhe doli i dyti. Nëntë herë kampioni i botës ka 36 pikë, me një vend të tretë dhe një të dytë.

Në Argjentinë pati shumë rrëzime mes të cilëve edhe Markez, Lorenco, Pedroza apo Doviciozo. Keq, pra, u paraqitën Honda dhe Dukati, ndërsa shumë mirë ishte britaniku Kal Kraçlou, që doli në vendin e tretë. Për “Doktorin” Rosi ky ishte Çmimi i Madh i 350-të në karrierë dhe e festoi siç duhet, ndërsa ka shanse të fitojë një tjetër titull botëror në një moshë shumë të madhe, plot 38-vjeçare. Në Amerikën e Jugut, Vale kaloi edhe vështirësi shumë të mëdha me motorin duke treguar se çfarë kampioni është.

Sfidanti.al