Është thuajse i sigurt për në Ligën e Kampionëve. Elseid Hysaj ishte në fushë për të provuar një fitore tjetër të madhe të Napolit, ndërsa skuadra e trajnerit Mauricio Sarri, vazhdon sezonin e saj të shkëlqyer. Një vend më poshtë se vjet, por me të njëjtën dëshirë për të dhënë spektakël dhe për të mos qenë i dytë përpar askujt. Pas dueleve të egër me Juventusin (1-3, 1-1, 3-2) në kupë dhe kampionat, vjen një tjetër konfirmin, me anë të fitores 3-0 në fushën e Lacios.
Hysaj ishte titullar dhe pati derbin e radhës shqiptar, këtë herë ndaj Thoma Strakoshës, që do të vazhdojë ta mbrojë portën laciale deri në fund të sezonit. Të dy luajtën mirë, në një përballje ku vendasit krijuan shumë raste, por ku miqtë jo vetëm luajtën shumë mirëm, por edhe gjetën tri herë rrugën e rrjetës. Kajehon, Insinje dhe sërish Insinje ishin ata që shënuan. Sulmuesi italian ka 10 gola jashtë fushe në Serinë A këtë sezon, ndërsa më i miri është shoku i tij i skuadrës, Mertens, me 12.
Jo më kot thamë në mesjavë që skuadrat i kanë ndarë rolet në Itali. Napoli dhe Roma duan Championsin dhe po ia arrijnë, ndërsa Lacio do Kupën e Italisë. Vetëm Juventusi është në gjendje të luftojë për gjithçka, ndërsa dy milanezet thuajse nuk luftojnë për asgjë, ndonëse Milani është më pranë Ligës së Europës sesa Interi.
Sfidanti.al