Fundjava ka qenë mjaft e mirë për futbollistët shqiptarë në Europë. Një ditë pasi Eros Grezda shënoi në Ligën e Parë të Kroacisë, i erdhi radha dy lojtarëve të tjerë të kombëtares që të shkëlqenin. Këta ishin Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi.
Sadiku tashmë e ka më të lehtë të shënojë tek Lugano, pasi përshtatja ka përfunduar një herë e mirë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte autor i një rrjete në suksesin 4-2 ndaj Sionit ku njeriu kryesor nuk ishte ai, por shqiptari i Maqedonisë, Ezgjan Alioski. Ky i fundit realizoi tri herë, me dy prej golave me penallti, ndërsa Lugano është në një pozicion komod në tabelën e Superligës zvicerane, në vendin e pestë me 34 pikë.
Në Turqi, Cikalleshi la shenjë edhe pse ishte rezervë dhe, edhe pse skuadra e tij humbi. Sulmuesi kavajas u fut në lojë me të nisur pjesa e dytë e takimit të Akhisarit në stadiumin e Fenerbahçes dhe në minutën e 50-të thuajse “e mori në qafë” ekipin vendas. Depërtoi në zonë dhe aty mbrojtësi danez Simon Kjer u detyrua ta pengonte. Gjyqtari dha penallti, të cilën e gjuajti Vaz Te duke shënuar për barazimin e përkohshëm 1-1. Gjithsesi, në fund skuadra e madhe stambollie triumfoi 3-1 pasi realizoi golat me anë të Migel Lopezit (penallti), Souzës dhe Xhermen Lensit.
Sfidanti.al