Uanda, a mundet që të flasësh keq për Lukakun, “gjigandin e mirë”?!

Prova e së vërtetës do të jetë kur ajo të krijojë ndonjë “baladë” për dikë nga lojtarët e Paris SG. Deri më tani, ka qenë e lehtë për Uanda Narën që të zbrasë zemërimin e mbledhur në shpirt për flakjen tek që Interi i bëri burrit të saj, Mauro Ikardit. Modelja dhe prezantuesja televizive, e kthyer në menaxhere futbolli, krijoi një tjetër lajm në median sportive duke lëshuar “helmin” e saj kundër “shemrës”, më saktë atij që i zuri vendin burrit të saj tek zikaltërit, Romelu Lukakut.

“Do të jetë mirë ta shikojmë atë (Lukakun) në ndeshjet e mëdha, – tha ajo, në emisionin “Tiki Taka”, kur dëgjoi se Romelu ishte më shumë lojtar skuadre sesa Ikardi, – ai nuk ka shënuar në Champions, dhe do t’i shikojë ndeshjet e raundit të dytë në televizor”. Nënkuptimi ishte i qartë, pasi Ikardi është i kualifikuar bashkë me Paris SG, ndërsa Interi i eleminuar. “Numri 9 i fundit (Mauro) shënoi vetëm 150 gola për Interin”, – vazhdoi Uanda.

Komenti i parë që mund të të shkojë në mendje pas këtyre fjalëve është sesi mundet që dikush të mendojë dhe të flasë keq për një “gjigand të mirë” si Lukaku? Sulmuesi shtatlartë belg njihet si altruist, si futbollist që luan dhe sakrifikohet për shokët, aspak egoist ndonëse shënues i rëndësishëm, një faktor i fortë për unitetin në radhët e skuadrë së Antonio Kontes. Duket se Uandës nuk i ka dalë inati që burrit të saj i hoqën shiritin dhe e larguan “pa ceremoni”, por e vërteta është se “po i bie samarit, se s’ka ç’i bën gomarit”, pasi Ikardin nga Interi nuk e hoqi Lukaku, por Konte dhe Marota.

Sfidanti.al