“S’mbahet shtëpia me miell hua”, Reali ka Valverden përpara Pogbasë!

Deri verën e kaluar, përpjekjet ishin të mëdha për të siguruar shërbimet e tij. Të paktën, kështu shkruhej në media, dhe kështu komentoi së fundmi agjenti i tij, Mino Raiola. Pol Pogba ishte një “mall” tepër i kërkuar dhe gazetat komentuan se Zinedin Zidan ishte gati të paguante shumë për ta pasur kampionin e botës. Tashmë, gjendja ka ndryshuar dhe “plani Marshall” prej 150 apo 180 milionë eurosh, mund të përdoret për ndonjë investim tjetër.

Çfarë ka ndodhur në “Santiago Bernabeu”? Po ngjan ajo që qëllon ndonjëherë, pra që një yll i ri bind drejtuesit dhe ata nuk kanë më fiksim të blejnë një yll të shquar. Tek Reali ky yll quhet Federiko “Fede” Valverde, mesfushori uruguajan me moshë vetëm 21-vjeçare. Këtë sezon, ai ka shkëlqyer për “merengesit” duke bërë që të mos ndihet shumë mungesa e të dëmtuarit të shpeshtë, Luka Modriç. Bashkë me Kasemiron dhe Toni Krosin, Valverde ka krijuar një mesfushë të hekurt që arriti të dominonte edhe në “Kamp Nou”.

Me moshën që ka, dhe me talentin që zotëron, Valverde është një “margaritar” tepër i vlefshëm për presidentin Florentino Perez, që pritet t’i vendosë ndonjë klauzolë nja 500 milionë euro. Sa për Pogbanë, ndoshta do ta kuptojë se nuk ka të pazëvendësueshëm dhe se mund të impenjohet më shumë për Mançester Junajtidin.

Sfidanti.al